© 2019 Varg e Vi

  • Facebook Social Icon

Shnosh m'u konëI October 2019

Dizajnuar nga Florent Buca

Pesë intervenime artistike, në pesë reparte të spitalit të përgjithshëm të Gjilanit, nga pesë artistë Varg e Vi.

 

Arti është projektimi i përvojave, i emocioneve dhe kujtimeve. Arti ka fuqinë për të regjistruar realitetin dhe fantazinë. Kështu, vëzhgimi i rrethit ku ne jetojmë e veprojmë është thelbësor për krijimin e artit.

 

Shkathtësitë e vëzhgimit janë gjithashtu të rëndësishme në mjekësi, shpesh duke siguruar një pasqyrë të menjëhershme të problemit që paraqet pacienti. Vëzhgimi është një mjet i tillë parësor në kujdesin dhe trajtimin e pacientëve, ashtu si mënyra se si është jetike për krijimin e artit. Natyra e punës së artistëve i bën ata vëzhgues të shkëlqyeshëm.

 

Arti në punën e mjekut konsiston në artin e komunikimit, artin e kuptimit të pacientit, artin e të shprehurit...

 

Në këtë projekt, këta artistë, secili me formën e vet, do ta pasurojnë këtë ndërveprim në mes të mjekut e pacientit, si dhe hapësirave ku zhvillohet ky interaksion.

 

Arben Limoni - doktor i mjekësisë, kurator i "Shnosh m'u konë"

Din Azizi / 'X-Ray' instalacion

Din Azizi: "X-Ray"

Rrezet X si formë e rrezatimit elektromagnetik me energji të lartë, e shqetësojnë pacientin sa herë i ekspozohet atyre, ndërsa artisti përpiqet përmes një instalacioni me foto rentgeni t’i ekspozojë ato sikurse të ishin vepra arti, duke i shndërruar imazhet elegjike (dhembjet) për pacientët, në imazhe estetike (bukuri). Rrezet X që ishin në fillim të panjohura, u bënë mënyra më e mirë dhe më e njohur e “ushqyeshmërisë” së kockave me kalcium, për t’i absorbuar ky element kimik rrezet X dhe për t’u bërë të dukshme patologjitë për leximin e tyre nga mjekët. Artisti i merr imazhet e shkencëtarit Wilhelm Röntgen dhe i shndërron në vepra arti, për ta reduktuar frikën, ankthin, brengat dhe stresin e pacientëve. Artisti i trajton këto rreze si të domosdoshme kur duam ta shohim brendinë tonë të pashfaqur, por nuk i madhëron ato. Janë të nevojshme, vetëm kur gjendja e pacientit është e domosdoshme dhe syri i lirë i mjekut nuk depërton në përcaktimin e shkallës, llojit dhe rrezikut të sëmundjes. Sytë e mjekut janë të kufizuar në spektrin elektromagnetik sikur të secilës qenie njerëzore, por i vjen në ndihmë teknologjia bashkëkohore, e cila me digjitalizimin e saj gjithnjë në avancim, ka reduktuar në masë të madhe efektet anësore dhe ka lehtësuar shikimin e qartë brenda, të skeletit njerëzor. Njeriu mund të vuan nga sëmundje të ndryshme dhe pasi nuk mund t’i sheh ato me sytë e lirë, detyrohet nga halli (e jo nga qejfi) t’i nënshtrohet ekspozimit. Vetëm në plazh e ka lirinë të rrezitet apo jo, ndërsa në X-rays, i detyrohet vuajtjes së brendshme dhe besimit në autoritetin e mjekut. Artisti me veprën X-rays e lufton edhe ekzagjerimin se këto rreze shkaktojnë kancer dhe ndjellin vetëm frikë, duke e treguar një efekt të panjohur deri më tash anësor se, rrezet X janë edhe të bukura për t’i parë, duke e synuar relaksimin e plotë të pacientit.

Avni Rudaku / poezi dhe performance interaktive

Kënaqu njeri n’spital – veç një jetë e kemi! 

 

Porositë e poetit nuk janë të zakonshme! Poeti i bie në qafë pesimizmit që mbizotëron ndaj spitalit. Ai nuk e dallon spitalin prej një shkolle, universiteti, supermarketi, kinemaje, teatri, tempulli fetar, autopjese, administrate publike… Secila ka një funksion të caktuar. Të gjitha na duhen dhe asnjërën nuk duhet ta shohim me frikë. Në spital shkon të mjekohesh, në administratë publike për një dëftesë, në universitet për një diplomë, në gjykatë për drejtësi... Tek e fundit, spitali nuk dallon prej një supermarketi, por spitalet njohin klinikat, pavionet, ndërsa supermarketet ndahen në sektorë. “Kënaqu njeri n’spital – veç një jetë e kemi!” është thirrje për ta zbutur frikën ndaj spitalit dhe për ta transformuar spitalin në institucion ku ka edhe shumë kënaqësi, e sidomos shkëputje të përkohshme nga disa përgjegjësi kokëçarëse. Spitali shndërrohet në arratisje nga obligimet e mërzitshme ditore.

Kushtrim Sylejmani / Pikturë

Kushtrim Sylejmani - “Trenat” 

Në spitale, njerëzit gjithmonë kanë qenë me një gjendje më të rënduar fizike, emocionale dhe mendore. Nuk ka institucion ku njerëzit janë ndjerë më me nevojë për relaksim, sesa në spitale. Në institucionet shëndetësore, pacientët e shtrirë vazhdimisht janë me më pak mundësi për të lëvizur dhe me shumë gjasa për të qëndruar më gjatë të shtrirë. Njerëzit edhe pa qenë të sëmurë, sa herë shtrijnë këmbët deri në fund të shtratit për çlodhje, fantazia e tyre ngjallet, përfytyrimet thellohen dhe kreativiteti rritet. Kur pacientët lodhen së menduari, së kujtuari e së imagjinuari për kohët e shkuara dhe për të ardhmen e tyre, vjen një çast kur hedhin shikimet e tyre nga tavani në muret e dhomave përballë tyre. Me shpejtësi, muret e zbrazëta lodhin sytë e mërzisin shpirtin e pacientëve dhe ata duan si ngushëllim, pikturat (ikonat) e vendosura në muret e dhomave dhe korridoret e spitalit. E kur në piktura, shfaqen trenat, simbolika bëhet e fuqishme: dëshira për lëvizje, udhëtim e pushim. Ngjyrat e dhezura të trenave kërkojnë vëmendjen e pacientit, në kohën kur ende nuk ka trokitur doktori për ta parë gjendjen shëndetësore të pacientit të shtrirë. Treni i kthen në nostalgji dhe koha e shkuar gjithmonë përjetohet më e ndritur dhe më e lumtur, sesa aktualiteti dhe futurologjia. E shkuara u duket se u kujton sa ishin me shëndet të plotë, e tashmja duke u mjekuar dhe e ardhmja me frikë se sa do të zgjasë kurimi. Prandaj, treni duke i kthyer në nostalgji, i kthen pacientët nga sëmundja në shëndet.

Avni Shkodra/ Stand-up Comedy, audio-performance

Avni Shkodra - “Stand-up Comedy”

Në repartin e Qendrës për Mirëqenien e Gruas, në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, instalohet një stand-up comedy (vetëm në versionin audio), e punuar enkas për këtë projekt. Audienca, përkatësisht, pacientët, stafi i spitalit, përcjellësit e pacientëve dhe vizitorët, mund ta dëgjojnë stand-up-in përmes dëgjueseve “wireless”, të cilat vendosen në këtë instalim.
Komedia trajton disa nga sjelljet dhe shprehitë e qytetarit kosovar në vendet publike, ndërsa përmes saj, synohet që spitali të bëhet sa më tërheqës për pacientët dhe vizitorët në përgjithësi.

Jeton Muja/ Video- instalacion interaktiv

Jeton Muja - “Metamorfozë”

Ky koncept ndërlidhet me marrëdhëniet midis artit pamor, sëmundjes dhe shërimit. Instalimi i Jeton Mujës adreson pyetjet bashkëkohore si: Pse dizajni i dhomave të spitalit përqendrohet vetëm në praktika? A është ky mjedis stimulues për shërimin e pacientit? A mundet një mjedis estetik të ndikojë pozitivisht në mendjen e pacientit? A mundet që një ndërhyrje artistike të heq frikën? Kjo pyetje e fundit në veçanti është pika e përqendrimit në videon e shfaqur. Do të shikoni një intervistë me Sohaib (11 vjet). Sohaib dëshiron të bëhet arkitekt. Ai projektoi një dhomë të spitalit për vëllain e tij nga një këndvështrim krejtësisht tjetër. Trajtimi nuk është përparësi këtu, por pikënisja është heqja e ankthit, krijimi i ndjenjës së të qenit në shtëpi dhe krijimi i lumturisë në rrethana të vështira. Dizajni do të zbatohet brenda AMC, spitali akademik në Amsterdam, Hollandë. Jeton Muja fton fëmijët dhe të rinjët nga Gjilani të ndjekin të njëjtën rrugë dhe ta shikojnë këtë ambient spitalor me një sy tjetër. A keni një ide të veçantë për të ndryshuar mjedisin, në mënyrë që të përmirësoni mirëqenien e pacientit?! Mos ngurroni ta postoni në kuti! Një përzgjedhje e ideve do të postohet në faqen e internetit të artistit: https://jetonmuja.wixsite.com/home

This site was designed with the
.com
website builder. Create your website today.
Start Now